Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi deklaroi sot se qeveria duhet të subvencionojë qiratë.
“Sjellja e Edi Ramës me pronën ka qenë gjithmonë armiqësore. Vendimi për mospagimin e qirave është një prej tyre. Po rendis vetëm aktet e tij si kryeministër, prej 2013-ës”, tha ajo.
“Shfuqizoi ligjin për pronat dhe miratoi një ligj grabitës për pronarët. Pas 7 vitesh, askush nuk ka përfituar asnjë m2 pronë.
Miratoi një VKM që parashikon shembjet e banesave dhe ndërtimeve edhe në pronat private, qofshin edhe me leje. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi, por Rama e shpërfilli vendimin. Shembi ndërtime me leje dhe cenoi të drejtën e kompensimit të mijëra qytetarëve.
Shpronësoi pronat dhe banesat e qytetarëve pa respektuar asnjë procedurë ligjore, në favor të klientëve të vet dhe aferave personale.
Krijoi të ashtuquajturën Korporatë të Investimeve, që shtetëzon pronën private dhe publike për ndërtimin e fshatrave turistikë nga klientët e tij.
Miratoi taksën e pronës në masë disproporcionale. Sot shqiptarët paguajnë taksën më të lartë mbi pronën në rajon”, u shpreh Çupi.
“Në vend të sjelljes antikushtetuese dhe armiqësore me pronarët, Edi Rama duhet të veprojë të paktën një herë në jetë si kryeministër i përgjegjshëm. Shtyrja e qirasë nuk ndihmon asnjërën palë. Ai vetëm sa rrit borxhin e qiramarrësve. Edi Rama duhet të subvencionojë qiratë”, tha Çupi.