Valdrin Pjetri, Kryebashkiaku i sapo zgjedhur i Shkodrës, prej disa ditësh po akuzohet nga Partia Demokratike se ka fshehur një dënim për trafik të lëndëve narkotike, në Itali në vitin 2003.

Pas daljes në dritë të këtyre akuzave, Valdrin Pjetri është nisur për në Itali, për t’u marrë me këtë çështje.

Burime konfidenciale i thanë CNA.al, se Valdrin Pjetri është nisur dy ditë më parë në Itali.

Pjetri ka kontaktuar një studio avokatie për të zbardhur çdo detaj të dënimit të tij.

Dje në mbrëmje VOA konfirmoi dokumentat e publikuara nga PD.

“Kandidati socialist Valdrin Pjetri duket se nuk do ta gëzojë karrigen e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, ku ai nuk është ulur ende. Dokumentat e publikuara nga Partia Demokratike dëshmojnë se ai ka qenë i dënuar në Itali dhe për më tepër e ka mbajtur të fshehtë këtë dënim”, konfirmon VOA.

Por, sërish janë ngritur dyshime, pasi sipas PD Valdrin Pjetri ishte dëbuar në Shkurt të vitit 2003.

Valdrin Pjetri rezulton të jetë arrestuar më 27 Janar 2003 në Firence, dhe një ditë më pas, përpara gjykatës, ka pranuar fajësinë.

Ndërsa dënimi, sipas VOA ishte dhënë në Qershor të atij viti, pra disa muaj pasi ishte larguar nga Italia.

Çka ngre dyshime të forta që kryebashkiaku i pabetuar i Shkodrës të mos ketë qenë në dijeni të këtij dënimi.