Ky është Zenel Marini nga Fushë Bulqiza i cili për 45 vite me radhë ka përdorur këtë traktor të modelit DT 54. Që prej vitit 1976 Zeneli përdor këtë mjet i cili sot është shumë i rrallë në vendin tonë. 68 vjeçari nga Fushë – Bulqiza, shprehet se me këtë mjet agregat jo vetëm që ka punuar në sektorin shtetëror, por pas viteve 90-të ai ka qenë burimi i vetëm i të ardhurave për familjen e tij.
Mjeti është ende në gjendje pune dhe Zeneli thotë se nuk del më në punë për të siguruar të ardhura ekonomike, por kur ka nevojë pushteti vendor për të hapur rrugë të vështira gjatë dimrit që bllokohen nga dëbora, ai është i gatshëm.
Zëneli thotë se nuk do të heqë dorë kurrë nga traktori që ka përdorur gjatë katër dekada e gjysmë. Ai shprehet gjithashtu se do të investojë në të jo vetëm në pjesë xhenerike, por edhe estetike, për tjua lënë trashëgimi fëmijëve.
68 vjeçari kujdeset shumë për mjetin e tij edhe pse ai tashmë është shumë pak i dobishëm për shkak se ka shumë mjete të reja më të fuqishme.