HIQET SHKËMBI I RREZIKSHËM TEK “PËRROI I KEÇIT”
Është hequr shkëmbi i cili rrezikonte të shembej në rrugën nacionale Burrel – Klos në vendin e quajtur “Përroi i Keçit”. Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka kërkuar firmës mirëmbajtëse largimin e masivit shkëmbor i cili ishte gati në shembje. Reagimi erdhi pas kronikës së transmetuar pak ditë më parë në “Mat Televizion” ku banorë të zonës ngritën shqetësimin e rrezikut të këtij masivi shkëmbor i cili ishte gati në shembje. Ndërhyrja është bërë këtë të enjte ku mjetet e firmës mirëmbajtëse të rrugës Skuraj – Peshkopi në bashkëpunim me policinë rrugore e cila menaxhoi qarkullimin, bënë të mundur largimin e masivit shkëmbor, duke eleminuar një rrezik potancial për të gjithë përdoruesit e rrugës nacionale Burrel – Klos. Vendi ku ndodhej masivi shkëmbor gati në shembje ka qenë problem kohët e fundit pasi edhe më parë ka patur shembje, për shkak të formacionit të dobët shkëmbor që ka kjo zonë dhe pranisë së vazhdueshme të ujit. Po ashtu, gjatë ditës së sotme kompania ka bërë të mundur edhe prerjen e disa pemëve të thata në fshatin Shoshaj, të cilat rrezikonin të binin mbi automjetet që lëvizin në drejtim të Klosit apo anasjelltas.