Rekamë

  Një grup shkencëtarësh francezë, që kanë vëzhguar minierën mineralnxjerrëse të kromit në Bulqizë, kanë dalë në konkluzionin se në thellësi të saj gjendet një rezervat i madh i gazit të hidrogjenit. Ky studim ka ngjallur debat në vendin tonë, pasi ka marrë vëmendjen e të interesuarve për shkak të nevojave të mëdha botërore për hidrogjenin natyror të pastër. Profesori i Universitetit Grenoble Alpes në Francë u shpreh se ajo që kanë vëzhguar në minierë të lë pa fjalë. Sipas tij, hidrogjeni në thellësi të minierës është thuajse 100% i pastër, ndryshe nga ai që prodhohet në vende të tjera të botës. Ndërkohë, ish-sondisti i minierës së Bulqizës, Rifat Gjoka, thotë se që në 500 metra thellësi ka patur prani të hidrogjenit. Ai kujton kohën kur punonte aty më shumë se 20 vite më parë, teksa bënte shpime me sondë, vinte re prani të gazit të hidrogjenit. Nisur edhe nga eksperienca e tij në Itali, Fracë e vende të tjera të industrializuara, Gjoka beson në studimin e profesorëve francezë që dolën më një konkluzion të tillë pak ditë më parë.

    Përveç përdorimit për përpunimin e naftës dhe prodhimin e metanolit për përdorim në plastikë, hidrogjeni shfrytëzohet për prodhimin e pothuajse të gjithë amoniakut industrial të botës. Ky i fundit është përbërësi kryesor në plehrat kimike. Pa praninë e tij, bie prodhimi bujqësor dhe me qindra miliona njerëz do të vuanin nga uria. Djegia e një kilogrami hidrogjen, siguron 2.6 herë më shumë energji se djegia e një kilogrami gaz natyror. Deri më sot nuk ka asnjë burim natyror të hidrogjenit. Mbetet për tu parë nëse një i tillë është në Bulqizë.