Dhjetra persona kanë përfunduar në spitalin Rajonal të Dibrës prej dy ditësh. Burime spitalore bëjnë me dije se që ditën e hënë, në urgjencën e spitalit janë paraqitur raste të shtuara me simptoma gastro-enterite, ku kanë marrë shërbimin spitalor dhe janë kthyer në banesa.
Mësohet se një pjesë e pacientëve kanë marrë terapi ditore, ndërsa në 6 raste janë shtruar në spital për ndihmë më të specializuar. Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Dibër gjatë ditës së hënë dhe ditës së martë ka marrë analizat fiziko-kimike në të gjitha depot e ujit të pijshëm të fshatrave dhe parametrat kanë dalë në kufijntë normalë, ndërsa analizat bakterologjike janë dërguar në Istitutin e Shëndetit Publik Tiranë për tu ekzaminuar dhe pritet që brenda 24 orësh të dalin përgjigjet.
Ndërkohë mjekët e familjes dhe strukturat e Bashkisë Dibër kanë informuar qytetarët për përdorimin e ujit të pijshëm me kujdes deri në daljen e raportit përfundimtar nga strukturat përkatëse.
Dyshimet e para të këtyre rasteve të shumta të helmimit të popullatës janë nga kontaminimi i ujit të pijshëm, por gjithsesi do të jenë analizat bakterologjike ata që do të përcaktojnë shkakun e vërtetë.