Këshilli i Lartë Gjyqësor propozon një reduktim të ndjeshëm të numrit të gjykatave të rretheve – prej 22 të tilla që janë aktualisht në vetëm 12 kjo me parimin një gjykatë një qark.

Qeveria e gjyqësorit, propozon bashkim të gjykatës së Dibrës me atë të Matit. Lidhur me këtë propozim nuk ka detaje se si do të bëhet ky bashkim, dhe nëse në Mat do të vazhdojnë të ofrohen shërbime apo banorët do të duhet të udhëtojnë deri në një orë e gjysëm për në Dibër. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat është ndërtuar në vitin 2002 me kontributin e Mbretësisë së Danimarkës, në këtë gjykatë janë tre salla gjykimi.

Propozohet gjithashtu edhe bashkimi i gjykatës së Durrësit me atë të Kavajës dhe Krujës dhe gjykatën e Fierit ta bashkojë me atë të Lushnjës, ndërsa në jug synohet bashkimi i gjykatës së Gjirokastrës, Sarandës dhe Përmetit.

Në të njëjtën formë, propozohet bashkimi i gjykatës Kukës me atë të Tropojës, i Korçës me Pogradecin, i Lezhës me Kurbinin, si edhe bashkim i gjykatave të rretheve Shkodër dhe Pukë.

Ndërkohë KLGJ ka në plan të shkrijë të gjitha gjykatat e Apelit në vend dhe të kemi një të re në Tiranë, e cila do të jetë e vetme. Por Ministria e Drejtësisë është kundër këtij plani. Referuar faktit se kjo do të lindte nevojën e ndërtimit të një godine të re me kosto gati 4.2 milionë euro, si edhe do të shtonte kostot e transportimit të të burgosurve, apo kostot e dietave të avokatëve kryesisht, ministria del në konkluzionin se ndikimi ekonomik negativ do të ishte më i lartë se efikasiteti në dhënien e drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë propozon mbajtjen e katër gjykatave Apeli, ose në variantin më minimal, 3 të tilla. Lidhur me gjykatat e Shkallës së Parë, ministria nuk pranon shkrirjet e gjykatave, por konfigurimin e disa prej tyre si degë të gjykatave më të mëdha të çdo qarku. Mungesa e një koordinimi po vonon miratimin e hartës së re gjyqësore dhe propozimin e saj në qeveri. Deri në atë moment, në gjykatat gjysmëfunksionale gjyqet do të çapiten falë gjyqtarëve të deleguar nga gjykata të tjera.