Këtë fundjavë nuk do të zhvillohet asnjë ndeshje e kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Ky vit kalendarik është mbyllur me zhvillimin e 17 takimeve të skuadrave që aderojnë në kategorinë e parë në kampionatin shqiptar të futbollit.
Gara e zhvilluar deri tani ka qenë e fortë dhe sfiduese për disa ekipe të cilat gjatë këtyre javëve kanë patur ulje-ngritjet e tyre në klasifikimin e përgjithshëm të 12 skuadrave që përballen me njëra – tjetrën. Ndërkohë, tre vendet e para vijojnë të mbahen me forcë nga Vora, Flamurtari dhe Besa, ndërsa në fund të tabelës qëndrojnë Valbona dhe Erzeni.
Burreli qëndron stoik në vendin e katërt, ku në 17 përballje ka siguruar 30 pikë, duke mbajtur në distancë me 4 pikë ekipin e Kastriotit të Krujës.
Ndërkohë, sipas publikimit të bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit, ndeshjet e kampionatit të kategorisë së parë do të rikthehen me datë 11 Janar 2025.
Java e 18 e vë Burrelin përballë Besës së Kavajës, ndeshje e cila do të luhet në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit. Ende nuk ka një njoftim zyrtarë nëse periudha e ndërmjetme do të përdoret si merkatoja e dimrit për ekipet që duan të bëjnë ndryshime në lojtarë apo do të ketë një periudhë tjetër për këtë.