Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, ka ripërsëritur edhe njëherë tri prioritetet e saj për Shqipërinë. Me anë të një postimi në rrjetin e saj social “twitter”, znj. Kim ka shpërndarë intervistën që zhvilloi pak ditë më parë në emisionin “Ilva Now” në Euronews Albania.
Ambasadorja Kim shprehet se, fokusi parësor i saj është fuqizimi i marrëdhënieve të mbrojtjes midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, fuqizimi i institucioneve demokratike dhe rritja e tregtisë dhe investimeve direkte të SHBA-ve në vendin tonë.
Ajo shton më tej se për t’i realizuar këto tri shtylla parësore, kërkohet më parë sundimi i plotë i ligjit, transparenca dhe ndëshkim i thellë i korrupsionit.
“3 prioritetet e mia janë (1) forcimi i marrëdhënieve të mbrojtjes midis SHBA dhe Shqipërisë; (2) mbështetje për ngritjen & funksionimin e institucioneve demokratike; (3) rritja e tregtisë & investimeve midis SHBA-ve dhe Shqipërisë. Të 3-ja kërkojnë sundim të ligjit, transparencë & fund të korrupsionit!”, shkruan ambasadorja e SHBA.