Fshati Fullqet në Bashkinë e Klosit para viteve ’90 ka qenë një ndër fshatrat më prodhues në bujqësi jo vetëm në bashkinë e Klosit por në të gjithë fshatrat e Matit. Por ndërsa bashkia Klos ka marrë masa që uji vaditës të mos mungojë për një pjesë të mirë të Fullqetit, për banorët e dy lagjeve “Bulqaj” dhe “Sallaku” kjo kohë e artë ka marrë fund. Një banor i këtyre lagjeve shprehet se në vitin 1964 u hapën 8 kilometra kanal vaditës për gjithë sipërfaqjen e tokës në Fullqet. Ndërsa sot harxhohen miliona lekë për vaditjen dhe uji vaditës mungon. Sipas tij, këtë verë janë tharë jo vetëm bimët në ara; misri e perimet, por edhe ferrat.
Sipas banorëve të lagjeve “Bulqaj” dhe “Sallaku” të fshatit Fullqet nga çmimet e rritura, po mbjellim dhe nuk po korrim. Ata kërkojnë nga instancat përgjegjëse që të mos e lënë bujqësinë në harresë, ku më kryesorja është uji vaditës që duhet ta sjellin në kohën e duhur, në mënyrë që i gjithë mundi e djersa e fermerëve të mos shkojë dëm.
Fshati Fullqet në Bashkinë Klos dikur njihej si hambari i Matit për shkak të prodhimeve të mëdha bujqësore që bëheshin aty.