FSHATRAT E ULZËS NË FLAKË, SITUATË KRITIKE NË LUNDRE E MADHESH, ZJARR EDHE NË AFËRSI TË BALGJAJT NË KLOS
Situata nga zjarret në Mat mbetet kritike. Vatra e zjarrit që ka përfshirë fshatrat e Ulzës sa vjen e zgjerohet. Terreni i thyer malor, era e fortë dhe thatësira kanë favorizuar përhapjen e flakëve në një sipërfaqe të konsiderueshme duke djegur banesa, stane e duke vënë në rrezik të tjera. Situata më problematike ishte në fshatrat Lundre dhe Madhesh, ku flakët rrezikuan banesat, teksa operacioni në rrugë tokësore vijon prej më shumë se një jave. Vatra e zjarrit është zgjeruar në drejtimet lindje - perëndim dhe tashmë ka kaluar në parkun e mbrojtur të Shkopetit. Rreth orës 11:00 të kësaj të hëne një helikopter i Ministrisë së Mbrotjes ndërhyri në Lundre duke hedhur ujë mbi vatrën e zjarrit që rrezikonte banesat. Pas një operacioni që zgjati rreth një orë, rreziku u eleminua, ndërsa forcat në terren po monitorojnë situatën. Pas ndërhyrjes në Lundre, helikopteri zjarrfikës asistoi edhe në vatrën e zjarrit në fshatin Madhesh, ku flakët i ishin afruar një banese e cila ka 200 koshere bletë e bagëti. Një tjetër vatër zjarri po kërcënon malin e Balgjait. Flakët që kanë nisur në anën e Selishtës në Dibër i janë afruar kreshtës së Balgjajt duke vënë në rrezik një tjetër ekonomi pyjore të rrethit Mat. Edhe në Bulqizë zjarri i rënë ditë më parë në malin e fshatit Vajkal vijon të jetë aktiv dhe është drejtuar drejt fshatit Shëngjun të Bashkisë Klos.