Stina e dimrit krijon probleme të vazhdueshme në zonat malore. Banorët e fshatrave malorë përballen me rrugë të pakalueshme e deri në mungesë të bazës ushqimore. Në një situatë të ngjashme ndodhen edhe banorët e fshatit Xibër- Murrize në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit. Për të shkuar deri në qendër të fshatit, na duhet të ecim në këmbë të paktën 40 minuta edhe pse distanca nuk është shumë e largët me rrugën e Arbrit. Gani Dalipi thotë se të njëjtën gjë e bëjnë prej dy muajsh që kur ka nisur stina e dimrit.

Rruga nga ajo e Arbrit mbi tunelin e madh deri në brendësi të fshatit është shumë e vështirë ta përshkosh në këmbë pasi është totalisht e mbuluar nga akulli. Në brendësi të fshatit takojmë Musa Beshirin. Ai na tregon se jeta në këtë fshat është tepër e vështirë sidomos në dimër. Çdo gjë transportohet në krah, deri tek të sëmurët apo të  vdekurit.

Kryefjala e banorëve është rruga, pasi po ju mbaron edhe baza ushqimore. Adnan Mema është kryetar i fshatit Xibër-Murrize në Bashkinë e Klosit. Ai na tregon se për problemet e fshatit ka vënë në dijeni Bashkinë e Klosit, por deri tani nuk është marrë asnjë masë. Problemet e rrugëve të fshatit kanë nisur që në muajin Nëntor të vitit të kaluar.

Shpresa e vetme për 500 banorët e fshatit Xibër-Murrize në Bashkinë e Klosit mbeten reshjet e shirave që të shkrijnë akujt që kanë mbërthyer gjithçka.