Mungesa e investimeve ka çuar në largimimin masiv të banorëve të fshatit Shkallë, në Bashkinë Klos. Në këto 35 vite demokraci nga ky fshat janë larguar më shumë se 50% e banorëve. Shkak sipas atyre që kanë mbetur ende aty, është bërë mungesa e investimeve që nga uji vaditës, ai i pijshëm dhe infrastruktura rrugore. Baki Hysa tregon se shumë bashkëfshatarë të tij janë larguar për këto arsye, ndërsa shpreson që ndërtimi i rrugës së Arbrit të ndalojë largimet dhe braktisjen e fshatit. Hysa shton se 3 kanë qenë arsyet kryesore të braktisjes së fshatit Shkallë; uji i pijshëm, ai vaditës dhe infrastruktura rrugore. Aktualisht në këtë fshat ka vetëm ujë të pijshëm nga ndërtimi i një rrjeti të ri, por mungon ai vaditës që është shumë i domosdoshëm për zhvillimin e bujqësisë.
Banorët e Shkallës shpresojnë që të gjendet një zgjidhje edhe për ujin vaditës, pasi të gjithë merren me bujqësi në këtë zonë e që me prodhimet bujqësore nxjerrin të ardhura për të mbajtur familjet.