Një tjetër zjarr u shënuar mbrëmjen e së enjtes në fshatin Batërr e Madhe të Njësisë Administrative Komsi në Bashkinë e Matit. Flakët shkrumbuan stallën e lopëve të Petrit Zenunit. Për fat të keq, tre lopët dhe një mushkë, u dogjën të gjalla brenda stallës së bagëtisë. Vetë Petriti tregon se zjarrin e kanë konstatuar rreth orës 23:00 të mbrëmjes, por gjithçka është djegur shumë shpejt, pa patur mundësinë për t’i nxjerrë kafshët jashta. Dëmi ekonomik për këtë familje është shumë i madh, ndërsa ai kërkon ndihmën e shtetit pasi e gjithë pasuria iu dogj nga zjarri. Për fat të mirë edhe në këtë rast nuk ka patur dëme në njerëz. Ndërkohë në të dy këto raste, specialistët e emergjencave civile në Bashkitë Klos e Mat kanë nisur punën për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.