Ervin Salianji ka kërkuar largimin e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla, pasi sipas PD është Alla, kryebashkiaku që u publikua në foto nga gazetari Artan Hoxha, duke marrë drogë. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, thotë se në pamje është Alla, dhe më tej akuzon qeverinë dhe kryeministrinë se janë këto cilësitë që i ka veshur platformës qeverisëse.

“Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet sesi kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, është duke konsumuar kokainë. Kokaina, heroina, kanabisi vjedhja, zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që vjedh vendin. Janë cilësitë e kryeministrit. Janë lidhjet me krimin, babëzia dhe hajdutëria, motivi që e shtyn Edi Ramën të kapë sistemin e drejtësisë. Siç vulosi emërimin anti-kushtetues të Artur Metanit, në krye të ILD. Emërimi, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Një jurist s’mund të jetë inspektor i lartë, nëse ka mbajtur post politik. Metani, në shkelje të ligjit, pasi ishte këshilltar i presidentit dhe ligji e sqaron qartë që ky është post politik. Dihej që Artur Metani ishte funksionar politik.”-tha Salianji.