Pandemia globale e COVID-19 ka diktuar rregulla të reja jo vetëm për qytetarët, por edhe për institucionet e shtetit.
Këto të fundit janë detyruar të hartojnë strategji të reja për t’iu përgjigjur nevojave të përditshme, ndërsa kjo është lehtësuar ndjeshëm falë ndihmës së teknologjisë.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka treguar sot detaje në faqen e tij zyrtare në “Facebook” mbi aplikimin për pasaporta dhe karta identiteti.
Ai thekson se pasaporta dhe kartat ID, tani mund të merren nga qytetarët duke aplikuar në portalin qeveritar e-Albania.
“Sqarim për shumë komente mbi aplikimet për kartë id apo pashaportëProcesi është lehtësuar ndjeshëm dhe koha është përgjysmuar me heqjen e sportelit e të radhës në komisariat. Karta ID apo Pashaporta Biometrike tanimë merren duke aplikuar online në ealbania https://e-albania.al/ shkruan Rama.
Por, si kryhet kjo procedurë? Shefi i qeverisë shprehet se pasi Policia e Shtetit e merr aplikimin nga qytetari, ajo ka një afat 8 ditë për të kryer procedurat e verifikimit për proceset e rregullta, ndërsa për ato të përshpejtuara duhet të mbyllet brenda 24 orëve.
Pas kryerjes së verifikimeve, qytetari njoftohet me e-mail për orarin e paraqitjes fizike për dhënien e shenjave të gishtërinjve pranë kompanisë “Aleat”
“Pasi merr aplikimin Policia e Shtetit ka një afat deri në 8 ditë për verifikimet me procedurë normale dhe vetëm 24 orë për verifikimet me procedurë të përshpejtuar. Pas kryerjes së verifikimeve, qytetari njoftohet me e-mail për të marrë orarin e paraqitjes fizike për dhënien e gjurmëve biometrike në zyrën përkatëse të kompanisë Aleat. Procesi kryhet sipas orarit të dhënë online dhe në kushte sigurie të plotë antiCOVID19″, shton ai.