Flakët nuk ndalen në Mat: Digjen dy stane në Trodhën, situatë kritike në Madhesh dhe Mallunxë
Dy stanet e bagëtisë që rrezikoheshin një ditë më parë nga zjarri në fshatin Trodhën të Ulzës nuk i kanë shpëtuar dot flakëve. Mbrëmjen e së enjtes ata janë djegur plotësisht nga zjarri i fuqishëm që ka përfshirë zonën prej së dielës. Zjarri po rrezikon edhe fermën që kishte 250 krerë lopë, pasi po përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe thatësirës së madhe. Po ashtu, vatra e zjarrit po përhapet edhe në drejtim të Shkopetit teksa në fshatin Madhesh rrezikohen banesa si dhe 200 koshere bletë. Autoritetet vendore vijojnë operacionin nga toka por terreni është tepër i vështirë dhe është e pamundur futja e mjeteve zjarrfikëse. Ndërsa nga ajri operacioni deri ditën e mërkurë ka vijuar vetëm me një helikopter. Situatë kritike është edhe në fshatin Mallunxë të Matit, ku vatra e zjarrit e aktivizuar ditën e djeshme vijon të jetë aktive edhe pse në orët e pasdites së të mërkurës asistoi një helikopter i Ministrisë së Mbrotjes duke penguar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Por gjatë ditës së enjte vatra e zjarrit është bërë aktive për shkak të erës së fortë dhe bimësisë së thatë në këtë zonë. Flakët po i drejtohen banesave ndërsa forcat në terren po punojnë për pengimin e tyre.