Policia e Dibrës ka arrestuar një 20-vjeçar të identifikuar si Luiz Dikollari, në kuadër të operacionit të koduar “Inteligjenca”.
Sipas një njoftimi zyrtar, policia ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale. I riu po lëvizte me një automjet me targa të huaja dhe shasi të dëmtuar, ndërsa ishte i armatosur me një kallashnikov, i pajisur me doreza dhe mbante një bidon 20 litra me benzinë.
“Strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe të Komisariatit të Policisë Dibër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas që qarkullonte me automjet të dyshuar dhe i armatosur, organizuan punën për parandalimin e ngjarjes dhe kapjen e personit,” thuhet në deklaratën e Policisë.
Gjatë operacionit të koduar “Inteligjenca”, shërbimet operacionale dhe patrullat ndaluan një automjet të tipit “Benz” me targa të huaja, që drejtohej nga shtetasi L.D., banues në fshatin Brezhdan, Dibër.
Gjatë kontrollit të automjetit, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri kallashnikov me fishekë të gatshëm, një bidon me benzinë dhe një palë doreza.
Strukturat hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për të zbuluar dhe dokumentuar qëllimin e veprimeve të 20-vjeçarit, i cili u arrestua në flagrancë.
Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.