Teksa na ndajnë vetëm dy javë nga nisja e kampionatit të futbollit të kategorisë së parë për sezonin 2023 – 2024, klubi i futbollit “Burreli” është drejt mbylljes së merkatos së verës për të qenë të gatshëm të shtunën e 2 Shtatorit në përballjen e javës së parë. Për teknikun e skuadrës matjane, Dorian Bubeqi, gjatë këtyre javëve është punuar fort për të ndërtuar një skuadër të qëndrueshme dhe që do t’i bëjë ballë garës së fortë në kategorinë e parë. Në një intervistë për Mat Televizion Bubeqi tha se bashkë me stafin janë kujdesur që formacioni të jetë thuajse si ai i sezonit të kaluar, me përjashtim të disa afrimeve që janë bërë në repartin e mbrojtjes por edhe në portë. Numri një i pankinës matjane beson që merkatoja është në fund të saj ndërsa pritet që afrimi i fundit të jetë në repartin e sulmit, ndryshe do të veprohet si në sezonin e kaluar me lojtarët e aktivizuar në sulm.
Video link
Paralelisht me afrimet e kësaj merkatoje, Bubeqi tha se element të rinj që mund të bëhen pjesë në vijim janë edhe të rinjtë e moshave të Burrelit.
Për të parë ecurinë e deritanishme të skuadrës, të premten në Tiranë, Burreli do të luajë ndeshje miqësore me ekipin e Kukësit.