Dy objekte arsimore në Dibër po i nënshtrohen një rikonstruksioni të plotë. Shkolla e Mesme e Bashkuar Zall – Dardhë do të jetë në kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit që e frekuentojnë atë. Për të parë nga afër ecurinë e punimeve ishte vetë kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, i shoqëruar nga prefekti Nexhbedin Shehu. Spashiu tha se në këtë investim të bashkisë Dibër ka edhe donacione nga organizata të ndryshme të cilat kanë ndihmuar për ambjentet e brendshme të shkollës.
Ndërkohë, prefekti Nexhbedin Shehu u shpreh se këto investime rritin cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies në territorin e bashkisë së Dibrës.
Drejtori i Shkollës së Mesme të Bashkuar në Zall – Dardhë, Halil Shehi, tha se 136 nxënës të kësaj shkolle do të kenë kushte më të mira në vazhdim.
Një tjetër shkollë që po rikonstruktohet në Bashkinë Dibër është edhe ajo e fshatit Blliçë në Njësinë Administrative Kastriot. Edhe ky objekt arsimor po bëhet me buxhetin dhe specialistët e shërbimeve të bashkisë së Dibrës. Të dy investimet pritet të mbyllen në një kohë të shkurtër në mënyrë që nxënësit të mund të përdorin ambjentet e reja.