Drejtori i Policisë së Shtetit, Hita: Fund ndalimeve pa shkak në rrugët nacionale! Të kryhet kontroll me mjetet teknologjike
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar takime me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, si dhe me drejtues të Departamentit të Sigurisë Publike, zëvendësdrejtorët për rendin në qarqe dhe shefat e sektorëve të qarkullimit rrugor. Gjatë këtyre takimeve, Hita kërkoi angazhim maksimal nga strukturat policore për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e çdo akti abuziv në terren, duke theksuar ndryshimin e metodave të kontrollit. Ai dha një udhëzim të qartë për ndalimin e praktikës së ndalimeve pa arsye në akset kombëtare, duke kërkuar përdorimin e teknologjisë si alternativë kryesore. “Të mos ndalohen më automjetet në akset rrugore nacionale, pa shkak, por të përdoret teknologjia, poliskani, mjetet shpejtësimatëse dhe dronët, pasi teknologjia është e ardhmja. Masat administrative të prodhuara nga këto mjete duhet të hidhen në sistem brenda ditës”, u shpreh ai. Një tjetër fokus i rëndësishëm ishte edhe kontrolli në zonat urbane, ku drejtori kërkoi masa rigoroze për shkeljet që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë dhe qarkullimin rrugor. Ai kërkoi ngritjen e grupeve të punës dhe hartimin e planeve konkrete për ndëshkimin e parkimeve të gabuara, manovrave të rrezikshme, zhurmave nga marmitat e modifikuara, si dhe drejtimin e automjeteve nën efektin e alkoolit. Hita vlerësoi gjithashtu reagimin e qytetarëve pas një telegrami të dërguar më herët strukturave të Policisë Rrugore, duke e konsideruar atë si një mesazh të qartë për nevojën e ndryshimit të mënyrës së kontrollit në terren. Në kuadër të sezonit turistik dhe rritjes së fluksit në rrugë, ai kërkoi vëmendje të shtuar për sigurinë rrugore pranë shkollave, si dhe bashkëpunim më të ngushtë me strukturat e tjera si Patrullat e Përgjithshme dhe forcat “Shqiponja”. Në përfundim, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se Policia Rrugore dhe të gjitha shërbimet e rendit duhet të jenë model në sjellje dhe profesionalizëm ndaj qytetarëve, duke garantuar një shërbim me integritet maksimal dhe standarde të larta.