Pas afro 10 vitesh nga projekti i parë për asfaltimin e rrugës Librazhd – Fushë Studë – Ura e Çernecit në Bulqizë, puna po shkon drejt finalizimit. Tashmë asfaltimi i trasesë ka kaluar fshatin Ostren dhe po zbret drejt fshatit Gjoricë e Poshtme për tek Ura e Çerenecit që ka edhe fundin e projekti.
Zbatimi i këtij projekti ka nisur që në vitin 2020 dhe vlera e financimit nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është rreth 9.08 milionë dollar.
Rruga Ura e Çerenecit – Zgosht i Librazhdit ka një gjatësi prej 47 kilometrash, ndërsa u shërben Njësive Administrative Gjoricë, Ostren e Trebisht të Bulqizës.
Për banorët e zonës ky është një investim i shumëpritur, ndonëse tashmë një pjesë e mirë e tyre janë larguar si rezultat i mosinvestimit në infrastrukturë në këto 34 vite demokraci.
Sistemimi dhe asfaltimi i rrugës “Zgosht-Ura e Çerenecit”, me gjatësi 47 kilometra, është vazhdim i rrugës Librazhd-Fushë Studë-Ura e Cerenecit me gjatësi totale 56,9 km. Projekti i parë është hartuar në vitin 2013 ku dhe u bë zgjerimi i të gjithë trasesë së rrugës. Por që të shtrohej me asfalt u deshën plot 11 vite pasi nuk u sigurua financimi nga ana e qeverisë shqiptare.
Veç banorëve të zonave rurale që do ta përdorin për të zbritur në qytete, kjo rrugë do t’i shërbejë edhe lidhjes së dy qarqeve, atij të Dibrës dhe Elbasanit.