Pak më parë Donald Trump shpalli fitoren në fjalimin e tij në Florida, ndërsa kanë ardhur urimet e para nga udhëheqësit botëror. “Urime për rikthimin më të madh në histori! Rikthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një riangazhim të fuqishëm ndaj aleancës së madhe midis Izraelit dhe Amerikës”, është shprehur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa ka shtuar se kjo është një fitore e madhe.
Kryeministri Edi Rama ka uruar Donald Trump, i cili pak më parë shpalli fitoren e “Presidencialeve”. Rama zgjedhur të ndajë me ndjekësit një rrjetet sociale një foto nga zyra e tij në Kryeministri ku po ndiqte live fjalimin e Trump.
Kryeministri shkruan se fitorja e Trump është një fitore e jashtë zakonshme, ndërsa shtoi se pret me padurim privilegjin e madh të punojë me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm
“Urime Donald Trump për këtë fitore të jashtëzakonshme. Ishte një nder i vërtetë të punoja së bashku me Presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen midis dy vendeve tona. Pres me padurim të kem privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm”, shkruan Rama.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka uruar Presidentin e zgjedhur të SHBA-ve Donald Trump “për fitoren e tij mbresëlënëse në zgjedhje!”. ë një postim në X, Zelensky shkruan se e vlerëson angazhimin e Presidentit Trump për qasjen “paqe përmes forcës” në çështjet globale.
“Urime për @realDonaldTrump në fitoren e tij mbresëlënëse në zgjedhje!
Më kujtohet takimi ynë i mrekullueshëm me Presidentin Trump në shtator, kur diskutuam në detaje partneritetin strategjik Ukrainë-SHBA, planin e Fitores dhe mënyrat për t’i dhënë fund agresionit rus kundër Ukrainës.
Unë e vlerësoj angazhimin e Presidentit Trump për qasjen “paqe përmes forcës” në çështjet globale. Ky është pikërisht parimi që praktikisht mund të afrojë paqen në Ukrainë. Unë shpresoj se do ta vëmë në veprim së bashku.
Ne presim me padurim një epokë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të forta nën udhëheqjen vendimtare të Presidentit Trump. Ne mbështetemi në mbështetjen e vazhdueshme dypalëshe për Ukrainën në Shtetet e Bashkuara.
Ne jemi të interesuar të zhvillojmë bashkëpunim politik dhe ekonomik të dobishëm, nga i cili do të përfitojnë të dy vendet tona. Ukraina, si një nga fuqitë më të forta ushtarake të Evropës, është e përkushtuar për të garantuar paqen dhe sigurinë afatgjatë në Evropë dhe komunitetin transatlantik me mbështetjen e aleatëve tanë.
Mezi pres të përgëzoj personalisht Presidentin Trump dhe të diskutoj mënyrat për të forcuar partneritetin strategjik të Ukrainës me Shtetet e Bashkuara”, shkruan Zelensky.
Urim për Trump ka ardhur edhe nga kryeministri hungarez Viktor Orban
“Rikthimi më i madh në historinë politike të SHBA-së! Urime Presidentit Donald Trump për fitoren e tij të madhe. Një fitore shumë e nevojshme për botën!”, tha ai.