Pas lajmeve të rreme se rrjeti 5G ka lidhje me krizën e coronavirusit, në Britani u është vënë zjarri shumë antenave që janë instaluar për rrjetin 5G.

Drejtori i Përgjithshëm i “Vodafone”, Nick Jeffrey, tha të dielën se vandalët kanë sulmuar disa antena nëpër vend, si dhe kanë keqtrajtuar inxhinierët e kompanisë nëpër rrugë.

“Kjo është çështje e sigurisë kombëtare”, tha ai, duke shtuar se teoritë se rrjeti 5G ka lidhje me COVID-19 është krejtësisht e pabazë.

“Vështirë të besohet se si disa njerëz duan të dëmtojnë rrjetin që i ofron shërbim institucioneve më të domosdoshme në këtë moment, si ai shëndetësor, dhe që ndihmojnë njerëzit të lidhen gjatë kësaj periudhe të vështirë me ndalim qarkullimi”, tha ai.

Jeffrey e dha këtë deklaratë pasi zjarrfikësit britanikë shkuan në disa antena në të gjithë vendin, ndërkohë që pamjet e flakëve shpërndaheshin në internet.

nDisa persona të famshëm të ekranit janë kritikuar sepse janë bërë pjesë e përhapjes së lajmeve të rreme që e lidhin rrjetin 5G me coronavirusin, si aktori amerikan Woody Harrelson dhe boksieri britanik, Amir Khan.

Drejtori i Vodafone i bën thirrje publikut të mos i shpërndajnë lajmet e rreme nëpër rrjete shoqërore, pasi janë të pabaza dhe mund të shkaktojnë pasoja të rënda.

Kompanitë celulare në Britani thanë me një deklaratë të përbashkët se sulmet ndaj antenave kishin penguar punën e domosdoshme në infrastrukturën e vendit, ndërkohë që vazhdojnë të këmbëngulin se nuk ka asnjë provë shkencore që ta lidhin 5G-në me pandeminë.