Banorët e fshatit Vojnik, në Njësinë Administrative Maqellarë, të Dibrës, prej 30 vitesh vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Mënyra e vetme e furnizimit me ujë të pijshëm për to është me puse të pacertifikuara nga ana higjeno-sanitare. Si pasojë ato ankohen se 1 herë në muaj përfundojnë në spital për shqetësime në veshka e gjëndra tiroide. Banorët thonë se para viteve ‘90 kanë pasur rrjetin e ujit të pijshëm, që merrej nga Kovashica e Shupenzës.

Banorët e fshatit Vojnik të Maqellarës shpresojnë në premtimet e dhëna nga autoritetet vendore se për to do të ndërtohet rrjeti i ujësjellësit që furnizohet nga Kërçishti i Sipërm. Ky rrjet ka mbërritur deri në Maqellarë, ndërsa punimet vijojnë.