Një 19 vjeçar është plagosur rëndë këtë të Martë në vargmalin e Korabit. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në malin e Çorokolit i cili është pjesë e vargmalit të Korabit. Policia e Dibrës njoftoi se sot, rreth orës 12:40, në Alpet e malit të Korabit, duke eksploruar natyrën, dyshohet se aksidentalisht është rrëzuar dhe ka mbetur i dëmtuar shtetasi K. S, 19 vjeç, banues në Fushë-Krujë, i cili shoqërohej nga disa shtetas të tjerë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas marrjes së njoftimit, menjëherë kanë organizuar punën për t’i ardhur në ndihmë 19-vjeçarit.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur është kërkuar ndërhyrja e helikopterit, me qëllim ofrimin e ndihmës për shtetasin e dëmtuar. Pas dhënies së ndihmës së parë, 19-vjeçari, është transportuar me helikopter, drejt Spitalit të Traumës.
Ky është incidenti i parë për këtë vit që ndodh në zonat malore të Qarkut Dibër ku dhe ka patur një interesim në rritje të turistëve vendas e të huaj për të eksploruar natyrën.