Reshjet e dëborës të rëna pa ndërprerje në të të gjithë Qarkun e Dibrës kanë sjellë problemet e para. Ndonëse situata ishte paralajmëruar nga sinoptikanët, në zonat e thella të Dibrës dhe Bulqizës ka mungesë të energjisë elektrike. Po ashtu probleme ka edhe në rrugët rurale, të cilat në shumë fshatra e njësi administrative janë aktualisht të pakalueshme. Trashësia e borës në Kalanë e Dodës, Selishtë dhe Lurë kalon mbi 60 cm. prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se situata pritet të vështirësohet me rënien e temperaturave, duke ju kërkuar drejtuesve të automjeteve që të bëjnë kujdes gjatë lëvizjes, pasi mund të ketë prezencë të akullit.

  Momentalisht rruga Peshkopi – Burrel – Tiranë është e kalueshme paprobleme. Rruga Ura e Çerenecit – Stëblevë – Librazhd kalohet me shumë vështirësi, e po ashtu edhe aksi nacional tjetër Peshkopi – Qaf Drajë – Kukës. Pushteti vendor ka nisur punën për hapjen e rrugëve rurale për të nxjerrë nga izolimi banorët e fshatrave të thella të Dibrës. Situatë problematike paraqitet edhe në njësitë administrative të Bulqizës, si Martanesh, Ostren, Trebisht, e disa fshatra të Zerqanit.