Policia Rrugore e Qarkut Dibër ka vijuar masat e shtuara për parandalimin e aksidenteve rrugore, evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Në 10 ditët e para të muajit Korrik, shërbimet e Policisë Rrugore kanë arrestuar 3 drejtues mjetesh, për “Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur” dhe kanë proceduar në gjendje të lirë 5 të tjerë nën akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Po gjatë këtyre ditëve janë pezulluar 5 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, shpejtësi mbi normën e lejuar dhe qarkullim në sens të kundërt.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë vendosur 404 masa administrative, për mosvendosje të rripit të sigurimit, për shkelje të sinjalistikës rrugore, për parakalime të gabuara, për pushim/qëndrim të gabuar, për përdorim të aparateve telefonike, për përdorim të pijeve alkoolike, për mos vendosje të kaskës mbrojtëse, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për manovra të gabuara etj.
Policia Rrugore e Qarkut Dibër apelon për drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.