Në kuadër të hetimeve të thelluara të kryera nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për identifikimin e personave që meren me veprimtari kriminale në fushën e dhënies ndihmë, kundrejt fitmit, shtetasve të huaj, me qëllim kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së, raste këto të goditura gjatë operacioneve “Kontrabanda 1 dhe 2”, të zhvilluara më parë, është bërë i mundur goditja e grupit të tretë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara ka rezultuar se 15 shtetas banues në Dibër, Tiranë, Kukës e Fushë – Krujë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ofronin ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve, shtetasve me origjinë siriane, të cilët ndiqnin itinerarin që fillonte nga Lindja e Mesme në drejtim të Turqisë, Greqisë, Shqipërisë, me qëllim transportimin e tyre, ku kundrejt pagesave të cilat fillonin nga 6000 euro për person, iu premtonin kalimin nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia me destinacion vendet e BE-së.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma të konsiderueshme monetare, automjete të cilat përdoreshin për transportimin e shtetasve të huaj, aparate celularë dhe pasaporta të shtetasve huaj. Janë identifikuar bazat e strehimit të emigrantëve në Tiranë dhe në Kosovë si dhe ëshë bërë i mundur dokumentimi i transfertave të parave në euro të kryera ndërmjet këtyre shtetasve, ku nga analiza e ketyre transaksioneve vihet re se vlerat monetare janë transferuar nga Greqia, Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Serbia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e lindjes, të cilat kapin vlerën e 36.912 Euro.