Qarku i Dibrës vijon të mbetet me 24 raste aktive të të infektuarish me Covid-19.
Këtë të premte nuk u raportua asnjë rast i ri me koronavirus, ndryshe nga një ditë më parë ku ishin 5 raste dhe të gjitha në Dibër.
Burime pranë NJVKSH Dibër thanë se rastet e djeshme janë në vatra të reja, një në administratën e Bashkisë, 1 në polici etj.
Nisur nga kjo një ditë më parë janë marrë 20 tampon në këto vatra të reja të cilët janë dërguar për analizë në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë, përgjigjet e të cilëve pritet të dalin të Shtunën.
Ndërkohë grupi i taskforcës së ngritur për monitorimin e zbatimit të rregullave të mbrojtjes nga Covid-19 vijon të ushtrojë kontrolle në terren, kryesisht në subjekte tregtare për vendosjen e maskave në ambjente të mbyllura, mbajtjen e distancës dhe përdorimin e dezinfektantëve.