Policia e Dibrës ka vënë në pranga 2 persona, të cilësuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimit ndaj personit dhe pronës, nëpërmjet operacionit të koduar “Tartaj”.
Policia njoftoi se operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, duke vënë në pranga shtetasit me inicialet K.K, 36 vjeç dhe A.K, 28 vjeç, (vëllezër ndërmjet tyre) banues në fshatin Tartaj, njësia administrative Zall Dardhë, Dibër.
Arrestimi i dy vëllezërve u bë pasi më datë 06.04.2018, në bashkëpunim me njëri – tjetrin dhe me vëllanë tjetër, shtetasin Rr.K, (i arrestuar ditën e ngjarjes nga policia), në fshatin Nezhaj, Dibër, kanë plagosur me armë zjarri në oborrin e banesës së tij shtetasin E. Ç, 24 vjeç, për motive hakmarrjeje.
Kjo ngjarje është nën hetim nga Prokuroria për veprat penale “Vrasja me paramendim mbetur në tentative”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.