HAZBI VELSULA
Është zbardhur vrasja e 65 vjeçarit Selim Velsula ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00. Autor i dyshuar i kësaj ngjarje është 31 vjeçari Hazbi Velsula, kushuri i viktimës. Ngajrja e rëndë ndodhi pasditen e së Martës në fshatin Xibër – Murrize të Bashkisë së Klosit. Mësohet se viktima ka qenë duke kullotur lopën në një livadh afër banesës teksa është konfliktuar me autorin e dyshuar. Nga dëshmitë e banorëve, mësohet se viktima është pikasur nga të afërmit teksa kanë qenë duke u kthyer për në banesë. Ai është gjetur i shtrirë në rrugë pa shenja jete, ndërsa kishte plagë të shkaktuara nga një mjet prerës. Të afërmit kanë njoftuar policinë e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, bashkëshortja e Selimit, Shpresa dhe vajza e tij Elida thonë se nuk kanë patur asnjë konflikt me familjen e autorit të dyshuar. Ata shprehen se vrasja ka qenë e qëllimshme dhe se autori ka ardhur nga Tirana për ta kryer. Ata kërkojnë drejtësi nga shteti, në të kundërt do të bëjnë vetëgjyqësi e nuk e falin gjakun e babait.
Autori i dyshuar i vrasjes, 31 vjeçari Hazbi Velsula u arrestua pak orë më vonë në banesën e vëllait të tij në Allias të Tiranës. Ai është dërguar nga uniformat blu në Dibër dhe pritet t’i merret dëshmia në lidhje me motivin e vrasjes së kushuritit të tij, 65 vjeçarit Selim Velsula.