Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja nuk e priti mirë deklaratën e deputetit të opozitës së re, Halit Valteri që vinte në dyshim efikasitetin e ndalimit të muzikës pas orës 20:00 dhe politikën qeverisëse për të bërë koncesione. Beqja u ngrit në foltore dhe tha se shqiptarët sot marrin shërbime më të mira, duke mos ngurruar edhe t’i përmendte Valterit, se pasi u bë baba, ka marrë edhe çekun e bebes.
“Pëlqimi i shqiptarëve për shëndetësinë publike është 52%, ka qenë 33%, jo të gjitha bëhen në një ditë. Kërkoj ndjesë që hyj në diçka familjare, ardhja e djalit tënd në jetë është diçka familjare. Por djali yt mori çekun e bebes se qeveria jonë i jep pa dallim. Shumë mirë që gruaja jote kishte kushte të sterilizuara maksimal kur lindi. Sa për PPP-të, kush do të heqë shërbimin e Dializës, kjo ëshë makabre. Ata njerëz e kanë të domosdoshme, tre herë në javë. Ndërkohë korçarët e bëjnë në Korçë, kështu vlonjatët, kështu shkodranët, nuk rroptohen duke ardhur në Tiranë. Për më tepër, lekët e transportit janë kursyer. PPP-të e Ilir Beqjes kanë një gjë, edhe Check-upi, në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme nuk paguhet gjë, se e kam bërë vetë, këto që kanë bërë të tjerët nuk e di.”,-tha Beqja.
Më tej, deputeti socialist shpjegoi pse muzika ndalohet pas orës 20:00. “Të vijmë tek akti normativ. Muzika nuk vret Halit, por decibelët vrasin. Arti nuk bëhet në klube nate. Nëse do të merremi me muzikën, po rregullojmë TKOB, që kishte që nga koha e miqësisë me Bashkimin Sovjetik. Shko kontrolloje. Nuk vret muzika, por unë s’di pse u bëka arti në klubet e natës. Pse në orën 20:00? Sepse në këtë orë nis përdorimi i pijeve alkoolike, ekzotike, energjike dhe njerëzit nuk ruajnë dot distancën fizike. Dhe kur ka aktivitet fizik shtohet stërkala e pështymës. Por unë mendoj se qeveria duhet të rregullojë komunikimin, që masat të respektohen dhe të sqarohen tek njerëzit. Një moment deshe të bëheshe psikiatër, lërja psikiatrit. Nuk mund të bëjmë një aktivitet një polic.“,-tha Beqja.