I fundit që ka zyrtarizuar kandidatët për kryetar Bashkie në zgjedhjet lokale të 14 Majit ka qenë Enkelejd Alibeaj. Pasditen e djeshme Partia Socialiste bëri publik emrat e 61 kandidatëve në të gjithë vendin. Në Bashkinë e Matit për Partinë Socialiste do të garojë për një mandate të dytë kryebashkiaku aktual Agron Malaj ku përballë do të ketë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Skënder Gjuci i cili ka dalë nga primaret e zhvilluara nga grupimi i Sali Berishës. Ndërsa PD zyrtare nuk do të ketë kandidat në këtë bashki.

Kryebashkiaku aktual i Klosit, Ilmi Hoxha nuk do të garojë për mandate të dytë, ndërsa në garë do të jetë Valbona Kola, aktualisht kryetare e Këshillit Bashkiak, njëherësh Drejtoreshë e Qendrës Shëndetësore Klos, ish kandidate edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Përballja do të bëhet me kandidatin e kolaicionit “Bashkë Fitojmë”, Bedri Hoxha. Edhe në këtë bashki PD zyrtare nuk do të ketë kandidat.

Në Bashkinë Bulqizë, pas arrestimit të ish kryebashkiakut Lefter Alla, Partia Socialiste ka vendosur të garojë me një grua. Festime Mjeshtri aktualisht drejtoreshë e Spitalit Bashkiak Bulqizë, do të jetë në garë përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Defrim Fiku.

Në Dibër do të jenë tre kandidat në zgjedhjet 14 Majit. I fundit që u zyrtarizua mbrëmjen e një nate më parë është Naim Gazidede që garon nën logon zyrtare të Partisë Demokratike dhe përballë do të ketë kryebashkiakun aktual Rahim Spahiu nga radhët e  Partisë Socialiste dhe Ismail Ukën nga koalicioni “Bashkë fitojmë”.

Tashmë do të jetë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i cili pritet të miratojë kandidatët e propozuar nga të gjitha forcat politike për zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Dritan Kurti