Presidenti Ilir Meta ka dekretuar këtë të hënë ligjin për faljen gjobave të vendosura deri në 17 prill, si pasojë e aktit normativ të qeverisë për situatën e krijuar nga COVID-19. Me dekretimin, të gjitha gjobat e vendosura deri në këtë datë për shkelje të rregullave të vendosura për shkak të situatës së pandemisë së COVID-19, janë falur dhe ato që kanë shlyer detyrimet do të kthehen pas. Po ashtu di tu kthehen pronarëve edhe makinat e sekuestruara me këtë rast.
Ndërkohë, presidenti Meta ka dekretuar dhe 3 ligje të tjera: “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe të protokollit zbatues në lidhje me asistencën financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike” si dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes së përbashkët të prokurimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për të prokuruar kundërmasat mjekësore”.