Në 24 orët e fundit, në Itali janë shënuar 662 viktima nga koronavirusi, dhe 4492 janë rastet e reja në ditën e fundit.
Pra, pas 4 ditësh në rënie, sot është ringritur kurba e personave të infektuar. Dje ishin 3491 të prekurit e rinj, të martën 3612, të hënën 3780 dhe të dielën 3957.
Ndërkohë, kritike mbetet situata në sistemin e shëndetësisë në Itali. Dy mjekë të tjerë humbën jetën duke rritur numrin e fataliteteve mes personelit mjekësor në 37. Autoritetet kanë krijuar dhe disa njësi speciale për të trajtuar pacientët që ndodhen në gjendje të rëndë në shtëpitë e tyre. Kjo bëhet për të shmangur dyndjen në spitale, ku për fat të keq po mbarojnë dhe shtretërit.
Kryeministri Italian, Giuseppe Conte njoftoi se qeveria e tij do të lëvrojë 50 miliardë euro për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit. “Kjo pandemi është një provë shumë e vështirë për Italinë”, u shpreh ai duke potencuar bindjen se vendi do të dalë nga kjo situatë krize.