Një rast jo i zakontë ka ndodhur në fshatin Çerenec i Poshtëm, në Njësinë Administrative Gjoricë të Bashkisë Bulqizë. Një banor është ankuar se pemët e plepit që gjenden ngjitur me shtëpinë e tij, rrezikojnë të thyhen e t’i dëmtojnë banesën. Jonuz Mjeshtri thotë se 5 pemët plep që janë ngjitur me banesën, mund të thyhen sa herë fryn erë e fortë dhe kjo ndodh shumë shpesh në zonë. Jonuzi thotë se prej 5 vitesh ka bërë kërkesë që pushteti vendor të marrë masa e t’i heqë ato pa shkaktuar dëme. Sipas tij, rreziku është jo vetëm për shtëpitë, por edhe për kalimtarët që lëvizin në rrugën e fshatit. Sa herë fryn erë e fortë, Jonuz Mjeshtri thotë se ai dhe familja e tij dalin jashtë nga frika se pemët thyhen e u bien mbi shtëpi.

Banori i fshatit Çerenec i Poshtëm, Jonuz Mjeshtri, shpreson se pas apelit mediatik, institucionet vendore të reagojnë dhe të heqin pemët e rrezikshme pranë baesës së tij.