Ekipi i futbollit “Burreli” ka udhëtuar këtë të premte drejt Orikumit për të zhvilluar nesër përballjen e radhës në fazën e dytë të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Matjanët luajnë këtë ndeshje në transfertë ndaj Orikut vendës, të cilët gjenden në fundin e kalsifikimit të përgjithshëm të kësaj kategorie.
Stafi teknik i Burrelit është shprehur optimist për këtë përballje, duke marrë shkas edhe nga ecuria e skuadrës në javët që lam pas, ku fitorja më e rëndësishme ishte ajo ndaj kryesueses Dinamos në stadiumin “Liri Ballabani”.
Gjatë këtyre javëve ekipi i drejtuar nga tekniku Dorian Bubeqi është rikthyer fuqishëm në garë pasi kapërceu disa vende në renditjen e përgjithshme.
Gara për kreun e grupit mbetet e fortë pasi tre ekipet e para janë në diferencë të ngushtë me njëra – tjetrën. Dinamo është në kuotën e 31 pikëve, ndjekur nga Skënderbeu me 30 pikë dhe Flamurtari me 29 pikë.
Në katër vendet e fundit të kësaj kategorie ndodhen Lushnja me 17 pikë, Oriku me 15 pikë, Besëlidhja me 14 pikë dhe Turbina e Cërrikut me 14 pikë.
Dritan Kurti