Burreli ndal Skënderbeun në “Liri Ballabani”

Java e 18 e kampionatit të kategorisë së parë në futboll e ka përballur Burrelin me Skënderbeun e Korçës, ndeshje e zhvilluar në stadiumin “Liri Ballabani”. Korçarët erdhën në Burrel si kryesues të kategorisë, por nuk arritën ta mbajnë kryesimin pasi Burreli nuk lejoi që ata të dilnin nga fusha me tri pikë të plota.

Ndeshja ishte vërtetë emocionuese pasi matjanët arritën të krijojnë disa raste por fati nuk qe në anën e tyre. Është Kastrati që në minutën e 6 godet shtyllën anësore të portës korçare, duke ndezur kështu motorrët e një loje të fortë.

Në minutën e 44′ shtylla i mohon eurogol mesfushorit të Burrelit, Kolecit i cili provoi me një predhë fluturimthi nga distanca, por edhe kësaj here fati ishte me korçarët! Pjesa e parë mbyllet me këto episode, ndërsa i njëjti ritëm loje do të ishte edhe në pjesën e dytë.

Në minutën e 53 janë sërish matjanët që mund të kalonin në avantazh me Farrukun por topi kalon ngjitur me shtyllën anësore. Në minutën e 91 Skënderbeu gjen rrugën e rrjetës me Dumfur, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Ky moment prodhoi tension në fushën e gjelbërt pasi korçarët protestuan për anullimin e golit. Megjithatë, asgjë nuk ndryshoi pasi e gjithë ndeshja përfundoi 0 me 0. Në krye të kategorisë së parë ka kaluar Flamurtari i Vlorës, ndërsa Burreli ka arritur në kuotën e 22 pikëve.