I riu që shihni në foto është 26-vjeçari Dritan Manjani, i cili u vra mbrëmë me thikë nga bashkëfshatari i tij, pas një sherri që patën në një lokal. Ngjarja ndodhi në fshatin Homesh, njësia administrative Shupenzë.

I riu u godit me thikë nga 30-vjeçari Dorjan Dema, para shtëpisë së viktimës, ndërkohë që ai humbi jetën në spital.

SI NISI KONFLIKTI
Sipas banorëve konflikti mes të rinjve ka nisur në një lokal e më pas autori i dyshuar Dorjan Dema i ka shkuar viktimës te banesa dhe pasi ai ka dalë e ka goditur me mjet prerës që dyshohet të jetë thikë e jo kaçavidë siç u raportua nga policia. Banorët tregojnë se viktima nuk ishte konfliktual ndërsa autori i dyshuar ndodhej në lokal i shoqëruar nga 4 persona të tjerë dhe po konsumonte alkool.

Dritan Manjani ndodhej i vetëm në një tavolinë tjetër duke konsumuar kafe dhe mësohet se aty brenda ka patur një zënkë mes të rinjve. Vetëm pak minuta më vonë, pranë banesës së viktimës kanë shkuar dy makina dhe i kanë rënë borive. Në këtë moment ka dalë nga shtëpia 26-vjeçari, i cili po konsumonte darkë me familjen. Dyshohet se ai është goditur menjëherë nga autori. Familjarët dhe të afërmit e viktimës e kanë transportuar me urgjencë për në spital, por fatkeqësisht Manjani nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra.

NJOFTIMI I POLICISË

Bulqizë/ U konfliktuan për motive të dobëta dhe gjatë konfliktit e plagosi me kaçavidë,  kapet dhe arrestohet në kohë rekord autori i ngjarjes.

26-vjeçari si pasojë e plagëve humbi jetën në spital.

Në orët e vona të mbrëmjes, në Shupenzë shtetasi D.D., 30 vjeç, banues në fshatin Homesh, për motive të dobëta është konfliktuar me shetasin D.M., 26 vjeç, banues në Homesh. Gjatë konfliktit 30-vjeçari e ka goditur me kaçavidë 26-vjeçarin,  i cili si pasojë e plagëve  ka humbur jetën në spital.

Shërbimet e Policisë falë reagimit në kohë, lokalizuan, kapën  dhe arrestuan autorin e ngjarjes shtetasin D.D.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.