Kjo e mërkurë ka qenë më e qetë në Bulqizë. Në spitalin e qytetit janë ndaluar rastet e helmimeve që nisën nga e Shtuna e kaluar. Vetëm ditën e djeshme janë paraqitur 7 raste të reja, ndërsa sot nuk ka patur asnjë rast, pohojnë mjekët e këtij spitali.

Me gjithë situatën që duket e qetë, banorët e lagjes së vjetër në Bulqizë vijojnë të mos e konsumojnë ujin e rrjetit, nga frika e helmimit.

Aktualisht qytetarët po furnizohen nga burime natyrale jashtë qytetit.

Megjithëse një ditë më parë ISHP deklaroi se uji i rrjetit nuk ka ndotje mikrobiale, priten analizat fiziko-kimike dhe ato toksikologjike për të vërtetuar që helmimi i rreth 120 personave nuk ka ardhur nga uji i rrjetit.

Policia e Bulqizës vijon hetimet për rastin pas inspektimeve të depove të ujit mbi qytet si dhe veprës së marrjes në një nga ish galeritë e minjerës së Bulqizës.