Rastet e shumta të raportuara nga Bulqiza për prerjen e paligjshme të pyjeve, kanë detyruar autoritetet të riaktivizojnë kamerat vëzhguese në pikat kyçe ku mendohet se kalojnë automjete të ngarkuara me dru.
Kjo që shihni është vendosur në afërsi të rrugës nacionale në Fushë – Bulqizë. Vendosja e kamerave është bërë nga të gjitha drejtimet Në 360O për vëzhguar rrugët që vijnë nga zonat e pyllëzuara.
Zona më problematike në Bulqizë sa i përket prerjes së paligjshme të pyjeve, mbetet ajo e Tërnovës. Pikërisht edhe ky monitorim po bëhet në rrugën që të dërgon në këtë masiv pyjor, por edhe në Malin e Bardhë.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit vendosi pesë vite më parë, sistem monitorimi me kamera në të gjithë vendin. Por shumë prej tyre u shkatërruan e u dëmtuan brenda një kohe të shkurtër. Investimi kapte vlerën e 1 milion eurove, por efektet në parandalimin e prerjes së paligjshme të pyjeve ishin të papërfillshme.
Për shkak të ristrukturimit të shërbimit pyjor në të gjithë vendin, tashmë këto kamera sigurie monitorohen nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.