Bulqizë/ Plagoset minatori 38-vjecari, niset me helikopter drejt Tiranës

0
11

Një minator 38-vjeçar është transportuar këtë të premte me urgjencë drejt kryeqytetit pasi mori plagë të rënda gjatë një aksidenti në punë në një nga galeritë minerare në zonën e Bulqizës.

Policia e Bulqizës njoftoi se aksidenti ndodhi në orën 11.30 në një galeri kromi në Bulqizë. Policia nuk ka dhënë detaje për rrethanat e ngjarjes dhe as për kompaninë që punësonte minatorin. Sipas saj minatori, i cili u transportua me helikopter për në Tiranë, po merr ndihmë mjekësore  dhe është “jashtë rrezikut për jetën”.

Mat Televizion mësoi se i plagosuri është minatori S. Laçi, 38 – vjeç, me banim në njësinë administrative Shupenzë në bashkinë Bulqizë.

I plagosuri fillimisht është dërguar në spitalin e Bulqizës ku dhe ka marrë ndihmën e parë. Por për shkak të plagëve të marra, mjekët e këtij spitali kanë njoftuar helikopterin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e kanë transportuar minatorin në kryeqytet pasi për të kërkohej mjekim i specializuar.

Galeritë e Bulqizës janë një prej zonave me më shumë aksidente të rënda në punë në Shqipëri, kjo sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës.