Një zjarr masiv ka përfshirë pyjet me dushqe e halore të fshatit Koçaj në Bashkinë Bulqizë. Zjarri ka nisur që ditën e djeshme në vendin e quajtur “Shala e Pepës” mbi fshatin Koçaj dhe është drejtuar drejt masivit pyjor të Balgjajt. Të dhënat paraprake thonë se sipërfaqja e përshkuar deri tani është rreth 50 HA dushqe e Ah.
Ndërkohë prej dy ditësh specialistët e shërbimit zjarrfikës në Bashkinë Bulqizë, të Shërbimit Pyjor dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit po përballen me flakët por e kanë patur të pamundur neutralizimin e tyre. Drejtori i Drejtorisë së Pyjeve dhe Kullotave në Bashkinë Bulqizë Roland Dedja tha se fikja e zjarrit po bëhet e pamundur në rrugë tokësore, megjithë shtimin e forcave nga ana e tyre dhe ndihmën e banorëve të zonës.
Paraprakisht dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërsa policia e Bulqizës ka nisur hetimet.