Kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla apeloi qytetarët që të mos abuzojnë me lehtësimin e masave, por të bëjnë kujdes ndaj rregullave të nevojshme kundër COVID-19, ndërkohë që bashkia Bulqizë prej sot është “zonë e gjelbër”.

“Bashkia Bulqizë si ‘zonë e gjelbër’ ka lehtësuar masat”, tha Alla duke iu drejtuar qytetarëve me thirrje miqësore për respektimin e rregullave.

“Le të vijojmë të tregojmë kujdes ndaj masave të nevojshme kundër COVID-19. Të mos abuzojmë me lehtësimin e masave, por të ndërgjegjësohemi kundër rrezikut të mundshëm! Të respektojmë këshillat e ekspertëve të shëndetësisë për një higjienë të shtuar personale dhe për kufizim të daljeve dhe kontakteve me personat e tjerë! Trego kujdes! Ruaj veten dhe të tjerët”, apeloi Alla.

Ai iu rikujtoi qytetarëve udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ku secili mund të ndihmojë për të mbajtur nën kontroll, COVID-19.

“Qëndro në shtëpi sa më shumë të mundesh. Nëse ke mundësi puno nga shtëpi. Kufizo kontaktet e persona të tjerë. Kur dilni, ruani distancën 1,5 m. Lani rregullisht duart. Nëse ke shenja të sëmundjes, qëndroni të izoluar dhe telefononi 127”, thuhet në apelin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

ATSH