Besimtarët bektashinj nga e gjithë Shqipëria përkujtojnë Ballëm Sulltanin në Martanesh

Besimtarët bektashinj nga e gjithë Shqipëria përkujtojnë Ballëm Sulltanin në Martanesh

Ashtu si çdo fund qershori edhe këtë vit, pelegrinët bektashinj iu drejtuan vendit të shenjtë të Ballëm Sulltanit i cili ndodhet në Ballenjë të Martaneshit për të kryer ritualet fetare, për t'u lutur dhe për të kërkuar paqe, shëndet, mbarësi dhe begati për familjet e tyre. Gjatë pelegrinazhit u zhvilluan ceremoni fetare të udhëhequra nga Kryegjyshi Botëror i bektashinjve Baba Edmond Ibrahimaj, ndërsa besimtarët ndezën qirinj, bënë lutje dhe respektuan traditat që janë përcjellë brez pas brezi. Për shumë prej tyre, pjesëmarrja në këtë pelegrinazh është një premtim i mbajtur dhe një moment reflektimi, falënderimi e afrimi me Zotin. Përveç dimensionit fetar, pelegrinazhi në Ballëm Sulltan shërben edhe si një ngjarje që bashkon komunitetin. Familje të tëra, të rinj e të moshuar, mblidhen çdo vit në këtë vend të shenjtë për të forcuar lidhjet mes tyre, për të ruajtur traditat dhe për t'ua përcjellë brezave të rinj vlerat e besimit, tolerancës dhe bashkëjetesës. Ballëm Sulltani është një nga vendet e rëndësishme të kultit për besimtarët bektashinj në zonën e Martaneshit dhe vazhdon të mbetet një simbol i besimit, historisë dhe trashëgimisë shpirtërore. Pjesëmarrja e qindra besimtarëve në këtë pelegrinazh dëshmon se tradita vazhdon të jetojë e fortë, duke e kthyer këtë aktivitet në një festë të besimit, unitetit dhe respektit për vlerat e trashëguara ndër breza.