Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se ato që ka bërë qeveria që ai drejtonte për energjinë janë epokale. Duke iu drejtuar zv/kryeministres Balluku, Berisha tha që ta harrojë ndërtimin e Skavicës sepse nuk do ta lejojë që të përmbysë Dibrën.

Ndërkohë replika Berishës i erdhi nga ministrja Elisa Spiropali, e cila tha se Berisha është varrmihësi i sistemit energjetik shqiptar.

Sali Berisha: Dy fjalë për atë që tha zonja se nuk ka as sy të shikojë se ia ka zënë hajnia. Ato që janë bërë nga ajo qeveri para jush, janë epokale. Është bërë një betejë epike me gazin rus dhe është sjellë në Europë gazi azer. Janë licencuar dhe ndërtuar nga ajo qeveri, e në vazhdim nga sektori privat, për 432 hidrocentrale, të gjitha me teknologji lega artis. E treta, harroje Skavicën. Kur të mbysësh ti Dibrën, do zgjohet Enver Hoxha dhe Beqir Balluku nga varri. Kurrë nuk do e përmbysësh Dibrën ti.

Elisa Spiropali: Zonja dhe zotërinj të nderuar, sapo foli varrmihësi i sistemit elektro-energjitik shqiptar. Përveçse nuk qeshim dot se është për të qarë dua t’i rendis disa fakt që janë të pakundërshtueshme mbi atë që ai personalisht dhe qeveria që ai ka drejtuar i bëri sistemit elektro-energjetik shqiptar.  Mbani mend privatizimin politiko-korruptivo, folklorik të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me tam-tame të mëdha në 2010. Ky operacion korruptiv që është sot në hetim në SPAK për shkak të një raporti  të një komisioni hetimor në këtë Kuvend la plagë të rënda dhe ende të pashëruara në sistem, të pashëruara plotësisht.