Edhe pse na ndajnë më pak se 30 ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, pushteti vendor ka nisur punën për të bërë gati të gjitha godinat arsimore.

Specialistët e Ndërmarrjes së Shërbimeve Bashkiake në Bashkinë e Matit, kanë nisur punën fillimisht në shkollën 9-vjeçare “Mustafa Gjestila” të qytetit të Burrelit.

Puna ka nisur me riparimet hidraulike dhe ato elektrike në të gjithë godinën. Specialistët hidraulik kanë bërë të mundur të gjitha riparimet e nevojshme tek nyjet sanitarte dhe linjën e furnizimit me ujë.

Ndërkohë specialistët elektriçist në këtë ndërmarrje po punojnë për riparimin e çelsave, prizave apo ndriçuesve të dëmtuar në të gjithë godinën.

Drejtues të Ndërmarrjes së Shërbimeve Bashkiake thanë se puna do të vijojë pa ndërprerje, ndonëse momentalisht ka nisur në godinat më problematike në të cilat ka më shumë punë për tu bërë.