Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, publikon planin me 5 pika të emergjencës ndaj coronavirusit, ku sipas tij “vetëm rritja e numrit të testimeve mundëson identifikimin real të të prekurve dhe frenimin e përhapjes së virusit”.
Në një reagim në rrjetet sociale, pasditen e sotme, Basha tregon se “izolimi i qytetarëve dhe bllokimi i ekonomisë na kushton qindra herë më shumë se rritja e numrit të testimeve”.
Pesë pikat e planit Basha.
Plani i daljes nga emergjenca
SA MË SHUMË TESTIME Sa më shumë persona të testuar, aq më shpejt identifikohen të prekurit dhe ndalohet përhapja e COVID-19. Bllokimi i ekonomisë dhe popullsia në karantinë kanë kosto shumë më të lartë sesa testimi i qytetarëve.
GJURMIMI I BURIMIT DHE I KONTAKTEVE Duhet bërë gjurmim i plotë i burimit dhe i kontakteve të të prekurit. Testimi i mjekëve, policëve e personave në vijën e parë. Kjo kërkon burime njerëzore, trajnimin dhe përdorimin e kapaciteteve lokale shëndetësore.
MBËSHTETJE PËR SHËNDETËSINË Të sigurojmë mjetet dhe pajisjet për personelin shëndetësor. Të garantojmë që kapacitetet tona shëndetësore të përballojnë fluksin e personave që kanë nevojë për trajtim.
.MATJET DHE MENAXHIMI I SITUATËS Duhet një sistem i saktë i matjes së impaktit që kanë masat e marra. Nëse ne e dimë çfarë impakti kanë ato – ulin, mbajnë konstant apo rrisin numrin e të infektuarve -atëherë do të kemi mundësi të reagojmë menjëherë në menaxhimin e situatës, duke i shtrënguar apo lehtësuar më shumë masat e marra.
TRANZICIONI DREJT HAPJES SË EKONOMISË Rifillimi kërkon përshtatjen me realitetin e ri. Qytetarët dhe bizneset do duhet të mësohen të funksionojnë në kushtet e distancës 1,5 m. Sa më shpejt të adoptohet kjo mënyrë e re aq më shpejt mund të rifillojë ekonomia dhe të reduktohet karantina. Qeveria duhet të mbështesë me fonde dhe lehtësira mënyrën e re të funksionimit të ekonomisë, raporton noa.