Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në fjalën e tij gjatë protestës së 10 të opozitës së bashkuar se më 30 Qershor shqiptarët refuzuan të keqen.
“Më 30 Qershor refuzuam të keqen, ndëshkuam korrupsionin. 30 Qershori është referendum kundër të keqes. Ajo ditë hyri në histori si dita ku shqiptarët treguan se kanë forcën që të ndahen nga e keqja. 85% e shqiptarëve e refuzuan regjimin e Edi Ramës, refuzuan krimin dhe mungesën e shpresës. Rama nuk e theu dot vullnetin e shqiptarëve të bashkuar. 30 Qershori ishte triumfi i të vërtetës mbi propagandën”, deklaroi Basha.
Kreu i PD-së shtoi se nga Shqipëria po ikën elita e vendit.
“Mjekë, inxhinierë, ekonomistë, sipërmarrës, infermierë kanë ikur për dinjitet dhe për të jetuar të lirë në një shoqëri të drejtë. Shqipëria është varfëruar, një vend që e braktis rinia nuk ka të ardhme. Sot, Shqipëria ofron pak mundësi, pak liri, pak dinjitet. Mësuesi duhet të vjedhë e manipulojë vota, polici duhet të dhunojë kundërshtarët politikë, e vetmja e ardhme e fëmijëve tanë është që të punojnë për partinë. Mundësi ka vetëm për krimin, karrierë ka vetëm për servilin. Ëndrra për Shqipërinë si Evropa është e parealizuar”, nënvizoi Basha.
Kryetari i demokratëve theksoi se “të gjitha pushtetet i ka Edi Rama”.
“Është kryeministër, Parlament, kryeprokuror, kryebashkiak, kryeredaktor dhe Shqipërinë e ka kthyer në pronën e tij. Në Shqipëri nuk sundon vullneti i njerëzve, por i Edi Ramës”, tha Basha.
Kreu i PD-së deklaroi se zgjidhja e krizës politike mund të vijë vetëm me një mënyrë: “Kriza zgjidhet me parime, jo me pazare. Ata që sollën krimin në politikë, nuk do të dalin nga kriza si shpëtimtarë, por si përgjegjës. Vetëm kjo e shpëton të ardhmen evropiane të Shqipërisë”.
Duke shprehur bindjen se sundimi i ligjit është rruga e vetme drejt Europës, kreu i opozitës kishte dy paralajmërime të forta. I pari ishte për ata që kanë abuzuar me pushtetin. “Përgatituni për ditën e gjykimit! Drejtësia ka vonuar, por drejtësia nuk do të mungojë”, tha Basha, i cili nuk la jashtë vëmendjes edhe kriminelët.
“Ne do t’ju shtypim pa mëshirë! Do ta pastrojmë Shqipërinë nga fara juaj shkatërrimtare”, u shpreh kreu i opozitës. Basha tha se “me fundin e këtij regjimi kriminal, ne do t’i japim fund politikës së të fortëve”.
“Fund të fortëve të rrugës! Fund të fortëve të politikës! Fund të fortëve të medias! Fund të fortëve të biznesit! Për të patur një qeveri të popullit duhet në radhë të parë një reformë zgjedhore dhe reformë e partive”, theksoi lideri i opozitës, duke vënë në dukje 4 pika kyçe që do të garantojnë këto reforma.
“Këto reforma do të garantojnë mundësinë e kujtdo për t’u zgjedhur. Do të sigurojnë që paratë e krimit dhe oligarkëve të mos kenë rol në zgjedhje. Administrata dhe burimet qeveritare të mos kenë rol në zgjedhje. Mediat të mos jenë instrument i manipulimit të votuesve”, tha Basha.
“Kjo do të jetë sfida e parë pas largimit të Edi Ramës nga pushteti. Do të jetë sfidë e vështirë, por ne do ta realizojmë”, vuri në dukje me vendosmëri lideri i opozitës, i cili beson se “zgjedhjet e lira e të ndershme do t’i hapin rrugën transformimit politik dhe ekonomik që ka nevojë Shqipëria, ndryshimit që kërkojnë shqiptarët.”
Basha theksoi se “qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e lira do të hapë menjëherë negociatat me BE-në”.
Për Lulzim Bashën, sfida më e vështirë do të jetë beteja për të futur Shqipërinë në rrugën e vërtetë të përparimit me një një ekonomi të lirë dhe konkurencë të ndershme, duke luftuar kundër monopolove, kundër klientelizmit dhe kundër kapjes së ekonomisë.